Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ndaj zyrtarëve doganorë Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi, të cilët akuzoheshin për korrupsion.
Vendimi i Apelit, me të cilin u vërtetua aktgjykimi lirues i Themelores, është marrë më 31 janar 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 tetor 2022,Gjykata Themelore në Mitrovicë në mungesë të provave, liroi nga akuza për korrupsion të akuzuarit Mlladenoviq dhe Gashi.
Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë në Gjykatën e Apelit ka parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën si të bazuar, aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje.
Por, Apeli pas shqyrtimit të aktgjykimit të ankimuar, vlerësimit të pretendimeve ankimore të Prokurorisë dhe shkresave tjera të lëndës, ka gjetur se ankesa nuk është e bazuar.
Kjo pasi që kolegji i Gjykatës së Apelit, ka vlerësuar se me aktgjykimin e Themelores është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendja faktike dhe se drejt është aplikuar Ligji Penal kur të akuzuarit janë liruar nga akuza, për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.
Apeli ka konstatuar se nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, dhe atë nga deklarata e dëshmitarëve V. Y., B. A., I. M., nga mbrojtja e të akuzuarve, si dhe nga provat materiale, është vërtetuar se të akuzuarit nuk kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin.
Apeli ka vërtetuar konstatimet e gjykatës së shkallës së parë, se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me përgjegjësi penale, pasi që kjo vepër penale duhet të kryhet vetëm me dashje dhe atë dashje direkte, e që në rastin konkret Prokuroria nuk i ka ofruar Gjykatës asnjë provë për të vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve me të vërtetë ka ekzistuar dashja në kryerjen e veprës penale.
“Sa i përket asaj se policia ka gjetur mallrat e pazhdoganuara, kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjen se një pretendim i tillë i Prokurorisë nuk mund të qëndrojë plotësisht si i tillë, pasi që policia me rastin e kontrollimit të kamionit kanë parë se ka mall më tepër, se që është konstatuar në DUD, mirëpo të njëjtit nuk kanë arritur që të vijnë në konstatim të saktë, se me të vërtetë ky mall nuk është paraqitur për zhdoganim pranë pikës kufitare në Jarinjë, e që kjo vërtetohet edhe nga raportet policore”, thuhet në vendimin e Apelit.
Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, është vërtetuar se gjykata e shkallës së parë, sipas rrethanave vendimtare në kuptim të vërtetimit të ekzistimit të veprës dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarve, ka konstatuar drejt se nuk është provuar se të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror.
Për më tepër, Apeli ka konstatuar se ankesa e prokurorit është karakterizuar me përshkrime abstrakte, pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve të pretenduara.
Ndryshe, të njëjtin akt akuzues me zyrtarët doganorë Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi akuzoheshin edhe Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq, për kryerjen e veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por për shkak të parashkrimit absolut ishte hudhur aktakuza për këtë pikë të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 21 shtator 2016, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq akuzoheshin se më 19 shtator 2014, në Leposaviq, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Siç thuhet në aktakuzë, kjo vepër penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri Milan Stojanoviq, në cilësinë e përgjegjësit të firmës “Telekomunikacia plus 028”, ndërsa i pandehuri Filip Filipoviq, si vozitës i kamionit, në pikë kalimin kufitar në Jarinje-Leposaviq, kanë zhdoganuar mallin-detergjent dhe pelena sipas DUD-it, ndërkaq iu kanë shmangur zhdoganimit të mallrave- kozmetikë, “zhileta”, detergjent dhe “pampers”, me ç’rast i kanë ikur pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej 12 mijë e 622 euro e 86 centë.
Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi akuzoheshin se në datën e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në pikën kufitare Jarinje-Leposaviq, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Mlladenoviq, në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit dhe i pandehuri Bekim Gashi, përgjegjës në kamionin e markës “TAM 1300 T 11”, nuk e kanë kontrolluar në mënyrë detale në pikën doganore, por vetëm në mënyrë vizuele e më pas e lëshojnë atë, me ç’rast kamioni të cilin e drejtonte i akuzuari Filipoviq është ndaluar në Leposaviq nga ana e Policisë dhe pas verifikimit të mallit është konstatuar se kamioni ka pasur më tepër mall se që është deklaruar për zhdoganim, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës humbje në vlerë prej 12 mijë e 622 euro e 86 centë.
Për këtë, ata akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.