Shefja e Zyrës së BE-së , Nataliya Apostolova, ka takuar Bordin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për t’u informuar për veprimet e tyre të fundit.
Ajo tha se zotimi i tyre ndaj misionit që kanë duhet të shërbejë si shembull, njofton Klan Kosova.
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura”, ka thënë ajo.
“Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit”, shtoi Apostolova.
“U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”.
Zyrtarja europiane tha se BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës.