Gjiganti teknologjik amerikan, Apple, është kthyer në kompaninë e parë që kap vlerën e 3 trilionë dollarëve në treg.
Çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur për 5,800 për qind prej kur themeluesi dhe ish-shefi ekzekutiv, Steve Jobs, ka prezantuar telefonin e parë, iPhone më 2007.
Apple është konsideruar si një nga fitueset e pandemisë, pasi shitjet janë rritur gjatë periudhave të izolimit, meqë njerëzit kanë kaluar më shumë kohë në pajisje teknologjike.
“Vlera 3 trilionë përbën një tjetër moment historik për Apple, teksa kompania vazhdon t’ua vërtetojë të kundërtën atyre që dyshojnë”, ka thënë Dan Ives, analist në kompaninë Wedbush.
Janë dashur 16 muaj që kompanisë Apple t’i rritet vlera nga 2 në 3 trilionë dollarë.
Apple ka qenë kompania e parë në treg që ka kapur vlerën e 1 trilion dollarëve në gusht të vitit 2018.
Kompania është themeluar më 1976 nga Steve Jobs dhe partnerët e tij të biznesit, Steve Wozniak dhe Ronald Wayne./REL