Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan tha se “situata aktuale në Siri është e pavazhdueshme dhe duhet të formohet dialog me qeverinë e Damaskut”.
Bin Farhan mbajti një konferencë për media pas Samitit të 32-të të Ligës Arabe e cila u mbajt në qytetin Xheda, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në përgjigje të kritikave të SHBA-së për rikthimin e Sirisë në Ligën Arabe, Bin Farhan tha: “E kuptojmë pikëpamjen e SHBA-së por situata aktuale në Siri është e pavazhdueshme. Formimi i dialogut me qeverinë e Damaskut ishte e nevojshme dhe këtë do ta diskutojmë me partnerët tanë perëndimorë”.
Zv/zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Vedant Patel më 8 maj tha se “Nuk besojmë së ripranimi i Sirisë në këtë moment është i përshtatshëm dhe këtë ia kemi theksuar hapur të gjithë partnerëve tanë”.
– “Shpresoj të arrihet “armëpushim humanitar” në Sudan
Në një vlerësim lidhur me situatën në Sudan, Bin Farhan vuri në dukje se palët sudaneze vazhdojnë bisedimet në Xheda dhe se shpreson që së shpejti të arrijnë një armëpushim humanitar.
– Kemi paraqitur paanshmëri në luftën e Ukrainës dhe Rusisë
“Ne e ftuam presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Samitin e Ligës Arabe për të dëgjuar zërat e të gjitha palëve”, deklaroi Bin Farhan duke shtuar se “Që në fillim kemi paraqitur ‘paanshmëri pozitive‘ në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën që janë dy palët e konfliktit”.
Ai bëri të ditur se si arabë i kushtojnë shumë rëndësi marrëdhënieve me Ukrainën dhe Rusinë dhe se kanë marrëdhënieve të veçanta me të dyja palët.
Në Samitin e 32-të të Ligës Arabe që u mbajt në qytetin Xheda të Arabisë Saudite, krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy mori pjesë pas një periudhe 12 vjeçare edhe presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad./FolDrejt/