Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e planifikuar të mbahet gjatë ditës së sotme, ka dështuar të mbahet.
Sipas Glauk Konjufcës, Kryetar i Kuvendit, ajo ka dështuar të mbahet për shkak të kërcënimeve që Arben Gashi, Kryesues i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka adresuar në drejtim të stafit të tij.
“Mbledhja e sotme nuk do të mbahet për shkak të kërcënimeve të shefit të LDK-së, Arben Gashit drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme. Shprehjet që i përdor janë të papranueshme. Këto sjelle nuk duhet t’i pranojmë. Ishte skandaloze gjuha e tillë sepse është shumë ofenduese me sharje familjare. Ka pasur debat lidhur me shpenzimet e deputetëve”, tha Konjufca gjatë një konference, transmeton Fol Drejt.
Deklaratën e Konjufcës e ka mbështetur edhe deputeti Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje:
“Siç ju njoftoj edhe kryetari, mbledhja dështoi për shkak të sjelljes jo parlamentare të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Megjithatë unë sot isha në emër të grupit të LVV-së. E dënojmë një sjellje të tillë shumë të papërgjegjshme, kërcënime të drejtpërdrejta”.
Por këto akuza i ka mohuar vetë Gashi duke thënë se ato janë pjesërisht të vërteta:
“Mbledhja e Kryesisë dështoi për shkak se kryetari i Kuvendit kishte marrë me veti shefin e kabinetit, i cili ka bërë shkelje të detyrave dhe përgjegjësive të veta. Ne kërkuam që ai të mos ishte prezent, dhe kryetari nuk pranoj një gjë të tillë. Shefi i kabinetit përveç që ka thënë të pavërteta, ka përdorë të vërteta të pjesshme duke tentuar të denigroj deputet të caktuar të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.