Arbër Basha është zyrtarisht lojtar i Kukësit. Përforcimi i pestë për verilindorët, që kanë dalë edhe me njoftim. “Futboll Klub Kukesi njofton se mesfushori kuksian Arbër Basha është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë!
Mesfushori 24-vjeçar ka firmosur me klubin një kontratë 3 vjeçare, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër. Basha është një futbollist që e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi sezonin e fundit ishte pjesë e Kastriotit, teksa në të shkuarën ka luajtur me Kamzën në Superiore por edhe në kampionatin estonez me JK Trans Narva.
Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje mesfushorit dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirësevjen Arbër”, shkruhet në njoftimin e Kukësit, ndërkohë që Basha ka thënë edhe fjalët e para pas kësaj lëvizjeje.
“Është kënaqësi dhe privilegj për mua të luaj me ekipin e qytetit tim. Përveç këtij fakti, do të luaj me një skuadër që çdo vit ka pretendime të larta dhe natyrisht ky është një motivim akoma më i madh për mua.
Tifozët e Kukësit janë të mrekullueshëm dhe shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha në stadiumin e ri. Shpresoj që të kontribuoj sa më shumë në ekip me gola dhe asiste për të arritur objektivat që kemi. Forca Kukësi”, tha mesfushori. /abcnews.al/