Monedha europiane ka prekur nivelin më të ulët që prej fillimit të vitit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro e nisi javën duke u zhvlerësuar më tej dhe aktualisht këmbehet për 119.1 lekë.
Ekspertët shpjegojnë se dobësimi i monedhës së huaj këtë periudhë lidhet me efektet sezonale me prurjet e turistëve dhe emigrantëve, ndërsa shtojnë se faktor tjetër ndikues në nënçmimin e euros kundrejt monedhës vendase është edhe paraja informale.
“Ka të bëjë me forcimin e lekut në vetvete që mund të shfaqet dhe në dobësimin e monedhës, por nuk ka arsye të qenësishme të një forcimi të lekut në këto muaj. Nga ana tjetër edhe euro në raport me monedhat e tjera ka shfaqur një dobësim. Mbetet faktori i tretë që ka të bëjë më tregun monetar në Shqipëri. Si pasojë e sasisë së madhe të eurove në qarkullim që lidhet edhe me sezonin, ku mbi 90% e turistëve vijnë shumica nga zona euro por edhe si pasojë e sasisë së euros informale që vijnë nga rrugë të ndryshme. Shtimi i kësaj mase të madhe të euros reflektohet në zhvlerësimin e monedhës”, thotë Adrian Civici, ekspert për ekonominë
Sipas Adrin Civicit, përveç tendencave sezonale, tashmë shkëmbimet midis monedhave kanë hyrë në një cikël të ri ndikuar edhe nga situata e përgjithshme globale. Euro shton ai, me mbarimin e efekteve të sezonit turistik pritet të rikthehet në nivelin e 120 lekëve.
“Parashikimet janë të vështira për disa faktorë që ndikojnë, por tashmë ekuilibri 118,119, 120 lekë duke një ekuilibër afatgjatë. Ndikon edhe fakti që në shkëmbimet midis monedhave krijohen ekuilibra të rinj strukturore. Aq më tepër tani në periudhën inflacioniste, kur banke qendrore që po ndjekin politika shtrënguese. Kemi hyrë në një ekuilibër të ri të shkëmbimit të monedhave shtuar dhe faktorët sezonalë.”
Përgjatë këtij viti, euro nivelin më të lartë e preku në fillimi të marsit duke arritur në mbi 127 lekë, nxitur kryesisht edhe prej nisjes së luftës në Ukrainë që solli panik dhe çoroditje në tregjet ndërkombëtare me shtrenjtimin e fortë të lëndëve të para./tch/