Qeveria argjentinase dëshiron të rinegociojë sovranitetin e Ishujve Falkland me Britaninë e Madhe dhe tërhiqet nga Pakti Foradori-Duncan.
Londra u përgjigj menjëherë dhe tha – Ishujt Falkland janë britanikë, transmeton Deutsche Welle.
Ministri i Jashtëm argjentinas Santiago Cafiero njoftoi se vendi i tij po tërhiqet nga i ashtuquajturi Pakti Foradori-Duncan, pas takimit me homologun e tij britanik James Cleverley në Nju Delhi, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G-20. Qeveria argjentinase dëshiron të rinegociojë sovranitetin e Ishujve Falkland dhe për këtë arsye propozon një takim me përfaqësuesit britanikë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Pakti Foradori-Duncan është një deklaratë e përbashkët e vitit 2016 që rregullon eksplorimin e gazit dhe naftës, transportin dhe peshkimin rreth Ishujve Falkland. Nga pikëpamja e qeverisë aktuale argjentinase, qeveria e mëparshme shkoi shumë larg për të akomoduar Britaninë e Madhe.
Vendimi për t’u tërhequr nga marrëveshja u njoftua pikërisht në kohën kur Sekretari Britanik i Shtetit për Amerikën, David Routley, po vizitonte Buenos Aires-in për ato që ai i quajti takime “produktive”.
“Argjentina ka vendosur të tërhiqet nga një marrëveshje që u solli ngushëllim familjeve të të vrarëve në konfliktin e vitit 1982”, shkroi Rutley në Twitter, duke e quajtur vendimin “zhgënjyes”.
Ai shtoi se nga kjo marrëveshje kanë përfituar Argjentina, Britania e Madhe dhe Falklandët.
Lufta e Falklands 1982
Të dy vendet vitin e kaluar shënuan 40 vjetorin e konfliktit, i cili mori jetën e 900 njerëzve – 649 ushtarë argjentinas, 255 ushtarë britanikë dhe tre gra që jetonin në ishull.
Lufta zgjati nga fillimi i prillit deri në mesin e qershorit 1982. Në Britaninë e Madhe, kryeministrja konservatore Margaret Thatcher ishte në pushtet dhe mbretëresha Elizabeth II ishte në fron. Argjentina në atë kohë drejtohej nga një junta ushtarake. Pasi forcat e armatosura argjentinase pësuan një disfatë, të dyja palët nënshkruan një armëpushim.
Në vitin 2013, njerëzit e arkipelagut votuan me shumicë dërrmuese për të qëndruar me Britaninë e Madhe. Pas zbulimit të depozitave të naftës dhe gazit përreth ishullit, konflikti u intensifikua sërish.
Që nga fillimi – shumë e diskutueshme
Ishujt Falkland, një arkipelag me rreth 200 ishuj, 480 kilometra nga Argjentina dhe 1200 kilometra nga Antarktida, kanë qenë gjithmonë shkaku i mosmarrëveshjeve ndërshtetërore. Në Francë, Spanjë dhe Amerikën e Jugut quhen Ishujt Malvinas.
Tashmë ka polemika se kush i zbuloi rreth vitit 1600 – holandezët apo britanikët. Në periudha të ndryshme ishujt kishin vendbanime franceze, britanike, spanjolle dhe argjentinase.
Rreth vitit 1770, pati pothuajse një luftë midis Spanjës (nën kurorën e së cilës ishte Argjentina në atë kohë) dhe Britanisë, e cila konfirmoi autoritetin e saj në ato ishuj në 1833, por Argjentina ende i konsideron ata territorin e saj.