Argjentina është fituese e Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Argjentina arriti titullin e tretë të botës në historinë e saj pas triumfit në kampionatit botëror më 1978 dhe kampionatit botëror më 1986. Në finale Argjentina arriti ta mundë Francën, shkruan Fol Drejt.
Gëzim Olluri – Fol Drejt
Në “Lusail Stadium”, në prani të 88 mijë e 966 shikuesve, Argjentina e mundi me rezultat 4-2 Francën pas penalltive, ngase loja e rregullt edhe pas vazhdimeve përfundoi 3-3. Golin e parë për Argjentinën e realizoi Lionel Messi nga penalltia në minutën e 23-të të takimit. Në minutën e 36-të Angel Di Maria e dyfishoi epërsinë e argjentinasve pas një aksioni të bukur dhe asistimit nga Alexis MacAllister. Me rezultat 2-0 për argjentinasit u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Franca arriti ta barazojë rezultatin. Kylian Mbappe realizoi në minutën e 80-të nga penalltia dhe në minutën e 81-të për rezultatin 2-2. Me rezultat 2-2 u mbyll loja e rregullt. Në vazhdime ishte Lionel Messi që realizoi për 3-2 në minutën e 109-të. Franca e barazoi rezultatin përmes Kylian Mbappe në minutën e 118-të nga penalltia.
Deri tek triumfi në këtë botëror, nga 7 takime të zhvilluara, Argjentina i ka realizuar 6 fitore dhe ka humbur vetëm një takim në fazën grupore në rrethin e parë në kuadër të Grupit C. /FolDrejt/