Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi sot se Armela Murati do të futet në histori si pilotja e parë në Shqipëri, duke postuar foton e studentes 25-vjeçare nga Burreli, e cila dy vite më parë nisi kursin e pilotit për helikopterët ushtarakë.
“Armela Murati do të futet në histori si pilotja e parë grua në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Murati, në një intervistë në media pak kohë më parë, teksa në Shqipëri zhvillohej stërvitja më e rëndësishme në Evropë, “Defender 2021”, tha se ka marrë mbështetje dhe kurajë në një mjedis ku mbizotërojnë burrat.
“Nuk kisha synim të bëhesha pilote. Thjesht doja t’i shërbeja vendit tim, fati deshi që unë t’i bashkohem Forcës Ajrore dhe tashmë jam edhe kursante. Presioni është goxha i madh, por unë kam ardhur me synime të qarta dhe dua që këtë hap që kam hedhur ta çoj deri në fund”, u shpreh nëntogerja Murati.