Të paktën 4 civilë humbën jetën dhe 10 u plagosën në një sulm të Armenisë ndaj vendbanimeve civile të Azerbajxhanit, duke e shkelur armëpushimin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se ushtria armene ka zhvilluar sulme artilerike dhe me raketa ndaj qyteteve Goranboy, Terter dhe Berde.
Ndihmësi i presidentit të Azerbajxhanit, Hikmet Hacıyev, nga Twitter-i tha se për shkak të raketës së hedhur në Berde kanë humbur jetën 4 civilë, ndërsa janë plagosur edhe 10 civilë të tjerë në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.
Ai rikujtoi se Ministria e Mbrojtjes e Armenisë sot ka njoftuar se “do ta sulmojmë fuqishëm Azerbajxhanin”, duke treguar se “Me këtë ata kanë të bëjnë me civilë, fëmijë dhe gra. Armenia vazhdon të kryejë krim lufte”.
Ndërkaq, Kryeprokuroria e Azerbajxhanit njoftoi se në sulm kanë humbur jetën dy gra, si dhe një vajzë 7-vjeçare.
Armëpushimi i fundit i përkohshëm humanitar ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë i ndërmjetësuar nga SHBA-ja hyri në fuqi më 26 tetor që nga ora 8:00 e mëngjesit me kohën lokale (04:00 GMT).