Policia ruse arrestoi të shtunën mbi 180 pjesëmarrës të një forumi anëtarësh të pavarur të këshillave bashkiakë, një veprim që vjen mes goditjeve të shumëanshme të autoriteteve ndaj kundërshtarëve.
Policia u shfaq në takimin e tyre në Moskë menjëherë pasi filloi, duke thënë se të gjithë të pranishmit do të arrestoheshin për pjesëmarrje në një aktivitet të një organizate të “padëshirueshme”. Një punonjës policie që drejtonte bastisjen tha se të arrestuarit do të dërgohen në stacionet e policisë dhe do të akuzohen për shkelje administrative.
OVD-Info, një grup i pavarur që monitoron arrestimet dhe shtypjen politike, tha se më shumë se 150 pjesëmarrës në forum u arrestuan. Midis tyre ishin Ilya Yashin, një politikan i opozitës që drejton një nga qarqet komunale të Moskës; ish-kryetari i Bashkisë së Yekaterinburgut Yevgeny Roizman; dhe anëtarja e këshillit bashkiak të Moskës, Julia Galyamina. “Qëllimi i tyre ishte të shkurajonin njerëzit nga përfshirja në politikë,” tha përmes një video nga furgoni i policisë Andrei Pivovarov, një politikan që ndihmoi në organizimin e forumit.