Zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i dy zyrtarëve të Burgut të Peqinit, ish-shefit juridik Gani Shehu dhe kartelistit Lulzim Kadiu.
Dy zyrtarët janë arrestuar për falsifikim të kartelave të punësimit. Dyshohet se Shehu dhe Kadiu kanë falsifikuar kartelat e disa të burgosurve, mes të cilëve është edhe Viktor Ymeri, personazh i njohur në botën e krimit.
Ata i kanë shtuar më shumë orë pune këtij të dënuari, që të përfitonte lirinë.
Dosja e Viktor Ymerit, akuzat për vrasje dhe lidhja me grupet kriminale të Vlorës
Viktor Ymeri u lirua nga gjykata e Elbasanit në 27 dhjetor të 2019 pasi ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës. Vendimi i gjykatës së Elbasanit shkaktoi mjaft reagime në publik për shkak të së shkuarës së Ymerit dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të Vlorës.
Aso kohe, gjykata ka marrë në konsideratë punën që Ymeri ka bërë gjatë kohës që ndodhej në burg duke ia zbritur atë nga dënimi. Megjithatë duket se numri i orëve të punës që ka bërë Ymeri ka qenë i falsifikuar.
Një muaj para se të merrte vendimin për lirimin e Ymerit, gjykata e Elbasanit kishte vendosur që t’i njihte atij ditët e punës së kryera në burgun e Peqinit, të cilat konvertohen në 5 muaj e 16 ditë burg. Këto ditë burgu janë zbritur nga totali i dënimit ndaj Ymerit, gjë e cila çoi në lirim. Raporton lajmiifundit.com percjell Foldrejt.com