Policia Serbe ka arrestuar shtatë persona në pjesën kufitare afër Podujevës, në Merdarë, shkruan Fol Drejt.
Disa nga familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar për Telegrafin se, ata janë arrestuar veç pse ishin shqiptarë.
Labinot Maliqi ka thënë se policia serbe e ka ndal veturën në kufi dhe i kanë arrestuar vëllanë Dervish Maliqin dhe dhëndrin e tij, Esat Muqollin.
Ai tha se vetëm dje autoritetet serbe i kanë marrë shtatë persona, përfshirë vëllanë dhe dhëndrin e tij.
“Unë kam qenë aty, jemi nis me shku për Gjermani, merremi me bartjen e veturave, në Merdarë i kanë ndal dhe ju kanë thënë veç shkoni parkojeni kerrin atje dhe hajdeni. Ata nuk i ka marrë policia e Merdares, po policia e BIA-së nga Beogradi. E kanë parku veturën, i kanë shti brenda. Më njoftuan, shkova…E pyeta policinë për çka po i merrni, e ai më tha ‘veç që jeni shqiptarë’. D.m.th kjo është hakmarrje që janë arrestu këta dje në Mitrovicë…ndërsa mua më lanë, ma dhanë veturën me dokumente. Ti tha je i lirë, shko merre veturën…”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka ndonjë akuzë të shqiptuar për ta – përveç gojarisht dhe se deri më tani asgjë nuk ka mundur të bëjë për lirimin e tyre./FolDrejt/