Kolonët prenë pemët e ullirit dhe sulmuan automjetet palestineze.
Forcat e ushtrisë izraelite sot herët arrestuan 23 palestinezë, përfshirë një grua, në bastisjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi një organizatë joqeveritare palestineze, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Fushata e arrestimit kishte në shënjestër qytetet Qalqilya, Jenin, Nablus, Ramallah dhe Betlehem, thuhet në deklaratën e Zyrës së Medias Asra.
Në një zhvillim të ngjashëm, kolonët izraelitë prenë rreth 170 pemë ulliri në fshatin Al-Lubban, në jug të Nablusit, sipas një burimi lokal.
Raja Owais, një fermer palestinez tha për AA se “pemët u shkulën me rrënjë gjatë sulmeve të kolonëve në mesnatë”.
Ghassan Daghlas, një zyrtar palestinez që monitoron aktivitetet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor verior, i tha radios zyrtare “Zëri i Palestinës” se kolonët sulmuan të paktën 80 automjete palestineze mbrëmë në rrugët që lidhin Nablusin me qytetet në Bregun Perëndimor verior.
Kolonët sulmuan shtëpitë palestineze në qytetin Burin, në jugperëndim të Nablusit, shtoi ai.
Arrestimet dhe sulmet e kolonëve erdhën disa orë pasi një palestinez qëlloi për vdekje 5 izraelitë në qytetin Bnei Brak, afër Tel Avivit./FolDrejt/