Nën akuzat për spiunim, ka filluar hetimi ndaj disa shtetasve rusë dhe malazez, njoftojnë autoritetet e Malit të Zi.
E përditshmja Pobjeda ka raportuar se agjencitë e sigurisë në Mal të Zi kanë arrestuar 36 shtetas rusë, 6 prej tyre me pasaporta diplomatike, të cilët kanë qenë të pajisur me leje-qëndrime të përkohshme. Po ashtu bëhet e ditur se pjesë e këtyre arrestimeve janë edhe dy shtetas të Malit të Zi, të gjithë nën dyshimin për spiunim.
Vukas Radonjiq, zëdhënës i Zyrës së Kryeprokurorit në Mal të Zi, ka thënë se policia ka kryer bastisje në disa apartamente për të kërkuar prova për spiunazh.
Ai vuri theksin te fakti se pas bastisjeve do të “përcaktohet se kush do të akuzohet dhe arrestohet”, duke mos specifikuar se sa të dyshuar janë marrë në pyetje.
Mali i Zi është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Gjithashtu i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë. Për më tepër, shteti fqinj në të kaluarën jo të largët, ka dëbuar edhe diplomatë rusë nga vendi.
Sipas IPress, Kryeministri malazez Dritan Abazoviq ka përshëndetur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT), i cili, tha ai, “ka të bëjë me ruajtjen e interesave kombëtare të Malit të Zi”./FolDrejt/