Sot janë arrestuar aktivistët e ORCA-s, Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha, pas një aksioni simbolik.
Njoftimin e ka dhënë vetë ORCA, përmes një postimi në facebook, në të cilin thuhet se ky arrestim erdhi pas një aksioni simbolik “ndaj plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik.”
“Pasi procedurat për vendimin përfundimtar për rastin e plagjiaturës Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati po marrin kohë siç ndodhë rëndon në Universitetin e Prishtinës, kemi vendosur që nga tash e tutje të kalojmë në aktivizëm gueril.
Në të gjitha rastet kur institucionet tregohen të paafta për t’i jetësuar vendimet meritore ndëshkuese për kryesit e shkeljeve, ORCA do të reagojë duke iu pamundësuar kryesve aktivitetin e tyre të përditshëm normal”, thuhet në postimin e ORCA-s.
“Nuk mund të ketë normalitet në situatë jonormale. Është jonormale që një profesor i dënuar për plagjiaturë të vazhdojë të shfaqet para studentëve, prandaj ne po e normalizojmë situatën duke mos lejuar që kjo të ndodhë.
Ne u arrestuam, por do të vazhdojmë luftën kundër plagjiaturës!”, thuhet tutje./FolDrejt/