Dy persona janë arrestuar këtë të martë në Gjakovë, pasi dyshohen për përfshirje në një rast të vjedhjes së rëndë.
Sipas policisë, të njëjtit në rrugën “Gaspër Karaqi” nga depoja e një biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshme në vlerë 100 mijë euro.
“Me datën 24.10.2023 rreth orës 10:55, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur për të, kishin depërtuar brenda objektit të biznesit të tij në rrugën ‘Gaspër Karaqi’ në Gjakovë, dhe nga depoja e këtij biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshëm (veshmbathje, bizhuteri, gjësende të ndryshme shtëpiakë etj.) në vlerë rreth 100 000 (njëqind mijë) euro”, thuhet në njoftimin për media.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht hetuesitë policorë në kuadër të Sektori Rajonal të Hetimeve, menjëherë ju kanë përgjigjur rastit dhe është filluar me hetime intensive për gjetjen dhe identifikimin e të dyshuarve. Pas një hetimi të gjerë është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar”.
Të dyshuarit janë D.T, i lindur në vitin 2000, dhe Q. L., i lindur në vitin 1990, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
“Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit, pasi që janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, me aktvendim, janë dërguar në mbajtje, ndërsa mallrat e sekuestruar iu janë kthyer pronarit”, thuhet tutje në njoftim.