Forcat izraelite arrestuan dy palestinezë të akuzuar për kryerjen e sulmit vdekjeprurës me sëpatë në qytetin Elad, në të cilin u vranë tre izraelitë, tha ushtria.
Në një deklaratë, ushtria tha se dy të dyshuarit, 19-vjeçari As’sad al-Rifai dhe 20-vjeçari Emad Subhi Abu Shqeir, u arrestuan në një zonë pyjore afër Eladit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas deklaratës, dy të dyshuarit ishin nga Rumana në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.
Ata u arrestuan pas një kërkimi masiv katërditor që përfshiu forca speciale dhe helikopterë.
Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e së enjtes, i cili ndodhi në vazhdën të tensioneve në rritje në territoret palestineze që nga muaji i kaluar si rezultat i fushatave të përsëritura izraelite të arrestimit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe inkursioneve të përditshme të kolonëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./FolDrejt/