Drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve
disamujore, sot, me datën 15/05/2023, ka ndërmarrë operacion policor në gjashtë
lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për
kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në
kryerjen e veprës terroriste, sipas nenit 134 të KPRK-së’ dhe ‘mbajtje në pronësi,
kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë
arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve
janë duke vijuar procedurat ligjore, përcjell Fol Drejt.
Të dyshuarit e lartcekur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për
përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.
Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar:
tri (3) revole,
një armë automatike AK-47,
një armë rekreative pneumatike,
pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim
policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve./FolDrejt/