Tre shtetas të Serbisë, me prejardhje nga Presheva, janë arrestuar për veprën penale “mashtrim”.
Nga ajo çfarë u raportua në media dje, u tha se tre persona u paraqitën në emër të vëllait të Nezir Mehmetaj kinse për ta ndihmuar këtë të fundit të lirohet nga burgjet e Serbisë.
Për këtë, policia ka lëshuar në njoftim gjatë së mërkurës, ku ka sqaruar edhe rrjedhjen e ngjarjes.
Të arrestuarit janë: L. A. i lindur me 1987 shtetas i Serbisë, R. H. i lindur me 1974 shtetas i Serbisë dhe I. H. i lindur me 1975 shtetas i Serbisë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë, Stacioni Policor në Klinë, me datë 13. 02. 2024, rreth orës 08:30 është njoftuar nga ankuesi i cili ka paraqitur rastin qe kishte te bënte me vepër penale Mashtrim, me ç’rast disa persona ne emër të vëllait të ankuesit kanë pasur për qellim për të pranuar një shumë të hollave nga një anëtarë i një Organizate humanitare me seli në Zvicër, të cilët me herët kishin grumbulluar një shumë të parave për ta ndihmuar vëllain e ankuesit i cili është i burgosur në Serbi”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të hetimeve me të pranuar informatën në koordinim të ngushtë me Prokurorin e shtetit, të mbështetur nga njësitet tjera policore kanë ndërmarra veprime hetimore dhe kanë arritur që në një lokal në Klinë të arrestojnë në flagrancë tre persona të dyshuar shtetas të Republikës së Serbisë”.
Sipas policisë, pas intervistimit të dyshuarve iu është caktuar masa ndalimit prej 48 orësh.