Policia e Kosovës në mbrëmje ka arrestuar tre shtetas serbë, me inicialet D. D., V.J. dhe D. D., të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në njërin nga dyqanet e Prishtinës (i njohur për redaksinë) dhe ishin duke planifikuar blerjen e disa uniformave në një dyqan tjetër në Prishtinë.
Burime brenda institucioneve të sigurisë tregojnë se të arrestuarve u janë gjetur edhe një shumë e konsiderueshme e të hollave kesh, raporton KosovaPress.
Të njëjtat burime raportojnë se serbët së fundmi kanë përgatitur një plan për t’i realizuar disa video kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon që të jap pretekst para institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë ushtarakisht, kinse për të mbrojtur shtetasit serbë të Republikës së Kosovës.
Para disa ditësh në mediat vendore, u raportua se serbët kanë blerë uniforma dhe aksesorë ushtarak në një lokal në Prishtinë. Nuk dihet nëse ka qenë lokali i njëjtë apo ndonjë lokal tjetër.