Futbollisti brazilian Douglas Pereira (32-vjeçar) është arrestuar, njoftoi Globo Esporte.
Mediat braziliane raportojnë se ish-anësori i djathtë i Barcelonës është arrestuar pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në ajër në një parking në kryeqytetin Brasilia më 21 prill. Pereira dyshohet se ishte i dehur pasi kishte pirë në një varkë në liqenin Paranoa, nga e cila u largua pasi debatoi me njerëz të tjerë.
Football Espana shton se Douglas deklaroi se më pas eci nëpër pyll duke mbajtur një armë të paautorizuar. Ai arriti në kampusin sportiv, ku rojet e sigurisë i kërkuan të largohej, dhe ai dyshohet se u përlesh me persona të tjerë, përpara se të qëllonte me armë. Policia arrestoi Pereiran, të cilit nuk iu gjet arma e fshehur. Ai u lirua nga paraburgimi dy ditë më vonë dhe është në pritje të gjykimit për armëmbajtje pa leje dhe gjuajtje me të.
Në vitin 2014, Barcelona solli Pereiran nga Sao Paulo për katër milionë euro. Megjithatë, nga viti 2014 deri në vitin 2019, ai bëri vetëm tetë paraqitje për klubin katalanas, i cili e dërgoi në huazim te Sporting Gijon, Benfica dhe Sivasspor. Besiktas e solli atë si lojtar të lirë në vitin 2019, por ai bëri vetëm shtatë paraqitje për skuadrën turke gjatë tre viteve, sipas të dhënave të Transfermarkt. Që atëherë ai ka mbetur pa klub. /FolDrejt/