Miliarderi kinez i lidhur me administratën e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump është arrestuar të mërkurën me akuzën se ka mashtruar investitorët me 1 miliard dollarë për t’i siguruar vetes një jetë luksoze, transmeton Anadolu.
Guo Wengui, i njohur si Ho Wan Kwok dhe Miles Guo u arrestua në New York ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë e akuzon për komplot të dyshuar që përfshin përvetësimin e fondeve që ka marrë nga ndjekësit e tij në internet.
Mediat amerikane raportuan se Guo bleu një rezidencë 762 metra katrorë në New Jersey, një jaht luksoz me vlerë 37 milionë dollarë, një makinë sportive Bugatti me vlerë 4.4 milionë dollarë dhe një Ferrari me vlerë 3.5 milionë dollarë për djalin e tij.
Prokuroria e akuzoi Guo-n për mashtrim ose përvetësim të parave të investitorëve duke përdorur skema të ndryshme, përfshirë kompaninë e tij mediatike GTV Media Group.
Guo dhe partneri i tij i biznesit Kin Ming Je përballen me 11 akuza, përfshirë këtu mashtrimin dhe pastrimin e parave, ndërsa mund të dënohen deri në 20 vite burg. Autoritetet thonë se Kin Ming Je është aktualisht i lirë dhe përballet me një akuzë shtesë për pengim të drejtësisë.
Guo ka qenë një kritik i hapur i qeverisë kineze dhe iku në ekzil në New Jork ku kërkoi azil në SHBA në vitin 2017. Ai thoshte se ishte persekutuar nga Partia Komuniste Kineze për ekspozimin e korrupsionit në Pekin.
Guo kishte marrëdhënie të ngushtë me këshilltarin e Trumpit, Steve Bannon dhe së bashku ata themeluan dy organizata jofitimprurëse, Fondacionin për Sundimin e Ligjit dhe Shoqërinë për Sundimin e Ligjit.
Prokurorët pretendojnë se Guo i përdori organizatat jofitimprurëse në fjalë për të tërhequr ndjekës që besonin në shumë nga idetë e tij, duke përfshirë teorinë për mundësinë se COVID-19 ishte prodhuar në një laborator kinez.
Avokati i Guo-s nuk pranoi të komentojë rreth akuzave ndërsa Bannon nuk është akuzuar për këtë çështje./FolDrejt/