Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Fol Drejt.
Policia njoftoi se hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot më 12.05.2023, pas disa veprimeve operative/taktike dhe hetimore kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin A.K., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar).
“I dyshuari në cilësi të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar kontratë rreth realizimi të disa projekteve në Burgun e Dubravës me një kompani në vlerë prej 199,500.00 €. Dyshohet se projektet në Burgun e Dubravës ishin tashmë të realizuara në vitet 2016-2018, (në Pavionin 4, vlera 271,466.66 €- realizuar në vitin 2016-2018, në Pavionin 6, vlera 233,309.00 € – realizuar në vitin 2016-2018 dhe ndriçimin e perimetrit të jashtëm të Burgut të Dubravës, Faza I, në vlerë 15,240.00 €, Faza II në vlerë 18,675.00 € dhe faza V në vlerë 20,000.00 € – realizuar në vitin 2016-2018). Vlen te ceket se në vitin 2021 ndaj personit të njëjtë ishte iniciuar një rast tjetër nga policia.”, shkruan në komunikatën e policisë.
Në njoftim thuhet se sot, më 12.05.2023, i dyshuari është shoqëruar në polici, ku edhe është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt. /FolDrejt/