Është arrestuar një person, pasi i njëjti ka mashtruar dhe falsifikuar dokumente për të përfituar kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit.
Policia bën të ditur se i dyshuari i nuk i kishte deklaruar pagat e punëtorëve në ATK dhe nuk i kishte kryer pagesat as të tatimit të mbajtur në burim as nuk kishte paguar kontributet e pensioneve.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, bazuar në Autorizimin e Prokurorisë Themelore-Ferizaj, pas veprimeve hetimore disa mujore të ndërmarra në grumbullimin e dëshmive lidhur me dyshimet se një person me iniciale (J.U.) si pronar i një kompanie dyshohet për kryerje të Veprave Penale “Mashtrimi me Subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumentit”, pasi i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, kishte lidhur disa kontrata pune (gjithsej 19-të) duke deklaruar në ATK se ka 19-të punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1)muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) ishte 4940.00€”, thuhet në njoftimin e policisë.
I njëjti edhe pasi parat e pakos emergjente u kishin dalë në xhirollogari të punëtorëve, u kishte bërë presion aty që shumën prej 100 eurosh për muaj t’ia japin atij.
“U kishte bërë presion (personave të deklaruar si punëtor) që shumën prej 100€ për muaj t’ia japin atij, ndërsa pjesën prej 30€ ta ndalin për vete. Me këtë rast pjesa më e madhe e tyre kishin pranuar, ndërsa për ata që nuk kanë pranuar këtë ofertë, i dyshuar kishte përpiluar nga një faturë fiktive, duke e nënshkruar vetë në emër të blerësit, ku disa nga këto fatura ishin në vlerë deri 260.00€, në emër kompanisë kinse kanë marr material elektrik, e të njëjtat fatura (të falsifikuara) i kishte dorëzuar te përmbaruesi privat”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se pas konsultës me Prokurorin kompetent të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.