Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, transmeton Fol Drejt.
“Prishtinë, 18 maj 2023 – Sot nga zyrtarët e njësisë së hetimeve të përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për rastin vrasje në tentativë të ndodhur më datë 27.03.2023 rreth orës 20:00, në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë.”, shkruan në komunikatën e policisë.
Policia njoftoi se ndaj të dyshuarit G. Y. mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, në prezencën e avokatit mbrojtës policia shqiptoi masën e arrestit policor dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit i dyshuari u dërgua në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.
“Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar edhe;
Një revole të tipit TT, e kalibrit 7.62 mm, që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Përderisa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Vrasje në Tentativë”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Pjesëmarrje në rrahje”, “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”.”, thuhet tutje në njoftim. /FolDrejt/