Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit SH.K, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
Sipas Prokurorisë, ai është kapur duke pranuar para me premtimin se do të ndikojë në një ministri.
“I pandehuri gjatë vitit 2022 dhe 2023 kishte kërkuar dhe pranuar përfitim pasuror për vete me premtimin se do të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personave zyrtarë të një Ministrie dhe gjatë aplikimit të masave të veçanta të simulimit të veprës së korrupsionit, i pandehuri arrestohet nga Policia e Kosovës në flagrancë derisa pranon një shumë të parave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.