Është arrestuar një person në Jarinje, i cili dyshohet për vjedhje të një veture në një fshat të Deçanit.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se gjatë kontrollit, të dyshuarit i janë gjetur një palë çelësa që dyshohet se i përkasin veturës së vjedhur.
“Zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre në Pikën e Kalimit Kufitar-Jarinje në dalje, sot më 12.01.2024, rreth orës 01:55, gjatë kontrollimit kufitar të udhëtarëve, në autobusin e vijës së rregullt Mitrovicë-Beograd, është hasur personin V.O., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar), i cili nuk posedonte asnjë dokument identifikimi, përveç një raporti mbi ‘raportimin e dokumenteve të humbura’. Policia me qëllim të verifikimit të identitetit të personit dhe sqarimit të rrethanave, ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo-hetimore (kontakti me SP Deçan dhe intervistimi i personit)”.
“Gjatë realizimit të procedurave policore, ka rezultuar se personi është i dyshuar për vjedhje të automjetit më 11.01.2024 rreth orës 21:30 në një fshat të Deçanit. Rasti është raportuar në Stacionin Policor Deçan, gjersa është zbuluar edhe vendndodhja e veturës së vjedhur (rruga ‘Isa Boletini’ Mitrovicë Jugu). Po ashtu, gjatë kontrollit të detajuar, personit të dyshuar i janë gjetur një palë çelësa që dyshohet se i përkasin veturës së vjedhur”, thuhet në njoftimin e policisë.