Instituti i Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) njoftoi se numri i protestuesve që humbën jetën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që nisën pas vdekjes së Mahsa Aminit është rritur në 185.
Në raportin e publikuar në faqen e IHR-së me seli në Norvegji, jepet informacion për demonstratat në vend që filluan tri javë më parë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në raport, i cili përfshin shifra për 17 nga 31 provincat në vend, thuhet se numri më i madh i viktimave ka ndodhur në provincën Sistan-Baluchistan.
Në raport thuhet se 90 persona humbën jetën në provincën Sistan-Baluchistan, 27 në Mazenderan, 12 në Gilan dhe Azerbajxhanin Perëndimor, 8 në Teheran dhe Kurdestan, 7 në Kirmanshah, 5 në Alborz, 3 në Razavi Khorasan, nga 2 në Isfahan, Qazvin, Kohgiluyeh Boyer-Ahmad, Zanjan dhe Azerbajxhanin Lindor dhe nga 1 në Iylam, Bushehr dhe Simnan.
Thuhet se 19 nga demonstruesit që humbën jetën ishin nën moshën 18-vjeçare.
Humbën jetën 21 punonjës policie
Përveç kësaj, agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA njoftoi se gjithsej 21 roje sigurie kanë humbur jetën në protestat që filluan pas vdekjes së Aminit.
Theksohet se në mesin e atyre që humbën jetën kishte ushtarë të Ushtrisë së Gardës Revolucionare, punonjës të njësisë së inteligjencës dhe pjesëtarë të milicisë Beshiq. Gjithashtu thuhet se më shumë se 200 roje sigurie u plagosën.
Shumë prona publike janë dëmtuar
Ndërkaq, njoftohet se shumë prona publike u shkatërruan në protestat që u përhapën në të gjithë vendin.
Sipas lajmit të publikuar nga agjencia e lajmeve Fars, e cila njihet për afërsinë e saj me Ushtrinë e Gardës Revolucionare, thuhet se nga protestat janë dëmtuar 15 automjete policie, 70 stacione metrobusi, 170 metrobusë, 323 filiale bankash, 85 autoambulanca dhe 30 zjarrfikëse.
Nga ana tjetër, zëvendësguvernatori i provincës Bushehr në jug të Iranit, Akbar Purat, tha se u identifikuan drejtuesit e supozuar të demonstratave në Bushehr dhe u arrestuan 200 persona që morën pjesë në demonstratat në rrugë.
Demonstratat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua nga patrullat e Irshad-it, e njohur si “policia e moralit” në Teheran, më 13 shtator, shkaktoi zemërim në vend.
Demonstratat, të cilat nisën pas funeralit të Aminit në vendlindjen e saj në Sakkez më 17 shtator, u përhapën në shumë qytete të vendit.
Televizioni shtetëror iranian njoftoi më 24 shtator se 41 persona, përfshirë forca të sigurisë, humbën jetën në protestat që u kthyen në dhunë.
Raportohet se në këto incidente janë arrestuar mijëra persona./FolDrejt/