Rreth 200 milionë banorë të SHBA-së u prekën nga stuhia dimërore e Arktikut që përfshiu vendin të premten, si pasojë e së cilës deri më tani humbën jetën 19 persona, janë anuluar mijëra fluturime ndërsa mbi 1.5 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Për shkak të stuhisë së fuqishme dimërore paralajmërime janë lëshuar për pjesë të mëdha të SHBA-së dhe Kanadasë. Meteorologët kanë parashikuar se këto do të jenë Krishtlindjet më të ftohta në disa dekada, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Si pasojë e stuhisë së fuqishme dhe aksidenteve që shkaktoi, numri i viktimave u rrit në 19 persona, njoftoi BBC.
Të premten, temperaturat ranë në minus 45 gradë Celsius në shtetet Montana, Dakota e Jugut dhe Wyoming.
Dhjetëra automjete janë përfshirë në aksidente në të gjithë vendin për shkak të motit, raportojnë mediat.
Më shumë se 8.000 fluturime u anuluan të premten përpara festës ndërsa më shumë se 25 mijë vonesa u raportuan, sipas faqes së internetit për ndjekjen e fluturimeve FlightAware.
Stuhia shkaktoi përmbytje të mëdha në disa pjesë të New Yorkut dhe New Jersey.
Disa shtete, përfshirë New Yorkun, Virxhinian Perëndimore, Kentucky-n, Georgian, Karolina e Veriut dhe Oklahoman, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin paralajmërimet e zyrtarëve lokalë dhe të qëndrojnë jashtë rrugëve pasi ato janë të mbyllura në disa shtete.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e ulëta që shkaktojnë probleme të mëdha në SHBA dhe Kanada mund të çojnë në ngrirje në lëkurën e zhveshur brenda 5 deri në 10 minuta. Ata paralajmëruan për rrezikun e madh të ngrirjes që ndodh me rrjedhjen e reduktuar të gjakut. Mungesa e gjakut të ngrohtë mund të çojë në ngrirje dhe këputje të indeve ndërsa në disa raste në amputim./FolDrejt/