Të paktën 19 persona, përfshirë një stjuardesë, kanë humbur jetën pasi një aeroplan pasagjerësh ra në liqenin Victoria në Tanzani të dielën në mëngjes.
Kryeministri Kassim Majaliwa konfirmoi numrin e të vdekurve menjëherë pasi mbërriti në vendin e aksidentit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Autoritetet thanë se të paktën 26 persona janë shpëtuar.
Albert Chalamila, një komisioner rajonal, tha se ekipi i shpëtimit ka arritur të tërheqë rrënojat e avionit nga uji i cekët.
Në bordin e avionit Precision Air ishin 45 persona, tha Chalamila.
Në deklaratën e saj fillestare, linja ajrore Precision Air tha se fluturimi me numër PW494 që po shkonte nga qyteti Dar es-Salaam për në Bukoba “u përfshi në një aksident teksa po i afrohej aeroportit në Bukoba”.
Avioni u rrëzua në liqenin Victoria rreth orës 10:50 të mëngjesit me kohën lokale (07:50 GMT).
Aeroporti i Bukobas ndodhet në bregun e liqenit dhe lokacioni i përplasjes është vetëm disa qindra metra larg pistës, sipas zyrtarëve lokalë.
Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë trupin e zhytur të avionit, të rrethuar nga varkat e shpëtimit.
Presidentja e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, e cila aktualisht është në një vizitë në Kinë, bëri thirrje për “qetësi teksa operacionet e shpëtimit vazhdojnë”.
“Kam marrë me tronditje të thellë lajmin e aksidentit në liqenin Victoria që përfshiu një avion pasagjerësh që i përkiste linjës Precision Air. Dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta”, tha ajo në Twitter.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme turke lëshoi një deklaratë, duke shprehur “dhimbje të thellë” për vdekjet.
“Me dhimbje të thellë mësuam se 19 persona humbën jetën në Republikën e Bashkuar të Tanzanisë në një aksident ajror në një fluturim nga Dar es-Salaam për në Bukoba”, thuhet në deklaratë.
“Ne ndajmë dhimbjen e shtetit dhe popullit mik të Tanzanisë, shprehim ngushëllimet tona për familjet e atyre që humbën jetën dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit”, thuhet në deklaratë./FolDrejt/