Ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Bashkimi Evropian po ashtu ka premtuar se do të sjellë në Kosovë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.
Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër coronavirusit.
Institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë në muajin shkurt kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19.
Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë që pas futjes në përdorim të vaksinës, procesi të realizohet në tri faza.
Faza e parë: Vaksinimi i grupeve më rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtoret shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).
Sipas këtij plani, kohëzgjatja e fazës se parë do të jetë 20 ditë dhe gjatë të gjitha seancave të vaksinimit do të sigurohet zbatimi i të gjitha masave për parandalimin dhe kontrollin e infektimit.