Arsenali ka përjetuar një sezon të mrekullueshëm deri më tani. Kurse, futbollisti i tyre i ri, i huazuar në Ligue 1 franceze, dje u bë golashënuesi më i mirë i kampionatit francez me 14 gola.
Arsenali drejton kampionatin anglez dhe po shkon drejt titullit të parë kombëtar që nga viti 2003, dhe trajneri Mikel Arteta ka në skuadrën e tij një numër sulmuesish të gjallë, të cilët po shfrytëzojnë sa më shumë mundësinë e tyre. Në verë, klubi mori një vendim që i talentuari Folarin Balogun, një sulmues 21-vjeçar i rritur në sistemin e të rinjve të klubit, do ta kalonte sezonin në formë huazimi në Reims të Francës, dhe ky vendim ishte padyshim më i miri në karrierën e këtij futbollisti premtues.
Dje kundër Lorientit, Balogun shënoi hat-trickun e tij të parë, duke kaluar kështu kryesimin në listën e golashënuesve të LIgue 1 franceze me 14 gola. Balogun tashmë është një gol përpara yllit të Paris Saint Germain, Kylian Mbappe. Ai 14 golat e tij në i shënoi në 20 ndeshje. Arsenali tashmë ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me të në vitin 2021 dhe pas një sezoni kaq të jashtëzakonshëm, është pak a shumë e qartë se Balogun nuk do të qëndrojë në Reims. Kështu, Arsenali do të vendosë në verë nëse do ta mbajë Balogun në radhët e tij apo do të arkëtojë formën e tij të mirë dhe ta shesë atë për disa herë më shumë se vlerën që kishte në fillim të sezonit.
Balogun ka lindur në Nju Jork, dhe bëri katër paraqitje për ekipin kombëtar të SHBA-së U-18. Së fundmi ai ishte pjesëtar i përfaqësueses së Anglisë U-21 dhe në të ardhmen e afërt pritet një ballafaqim mes Anglisë dhe SHBA-së, se përfaqësues i cilit shtet do të jetë Balogun.