Arsim Bajrami, njëherit ish-ministër i Arsimit, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës, duke bërë një krahasim mes dënimit që i shqiptoi Gjykata Speciale Mustafës dhe dënimit të shqiptuar ndaj serbëve.
Përmes disa statistikave të aktgjykimit të vitit 2009, Bajrami ka bërë të ditur për opinionin publik se katër udhëheqës serbë që udhëhoqën fushatën e gjenocidit në Kosovë, nuk janë dënuar me më shumë vjet burg se sa dënimi që ka marrë sot Salih Mustafa.
“Nikolla Shainoviqin me një dënim të vetëm me 22 vjet burgim,
Dragolub Ojdaniqin një dënim të vetëm me 15 vjet burgim,
Nebojsha Pavkoviqin me 22 vjet burg,
Vladimir Llazareviqin me 15 vjet burgim,
Sreten Llukiqin me 22 vjet burgim.
Këta udhëheqës serb udhëhoqen fushaten e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, që rezultoi me 13 mijë të vrarë, 1.5 milion të depërtuar, 20 mijë gra të dhunuara, varreza masive në Serbi dhe spastrimin etnik, e shkaterrimin e Kosovës në të gjitha sferat”, ka shkruar Arsim Bajrami në facebook.
Në anën tjetër, Bajrami ka përmendur dënimin prej 26 vite burg me të cilin u dënua sot Salih Mustafa nga Gjykata Speciale.
“Dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale denoi sot Sali Mustafen me 26 vite burg për gjoja “keqtrajtimin” e 6 personave në Kosovë.
Vlerësoni vet, a bëhet fjalë këtu për drejtësi, apo tendencë të relativizimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke barazuar viktimen me agresorin”, ka shkruar tutje Bajrami./FolDrejt/