Shkruan: SEFER TAHIRI
Cila është historia e problemit të mësimit shqip në nivel të mesëm në Veles? Pse drejtoria e Gjimnazit “Koço Racin” dhe Këshilli i Komunës së këtij qyteti miratuan vendimin për moslejimin e asnjë paraleleje në gjuhën shqipe? A raportuan fare mediat maqedonase mbi arsimin shqip në Veles? Cila ishte qasja e mediave sa i përket protestave për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe?
Narrativët etno-politike në përmbajtjet mediatike mbi çështjet e arsimit
Arsimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha, që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Përveç atyre të fushës pedagogjike dhe infrastrukturore, shkollimin shqip gjithmonë e ka shoqëruar politizimi, i cili ndikonte që edhe mediat, të cilat cilësohen si serioze dhe profesionale, të mos shmangin stereotipizimin etnik.
Dy narrativë mediatike kemi pasur që në vitet 90-ta, kur trajtohet çështja e paraleleve në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm apo evidenca pedagogjike në gjuhën shqipe në arsimin fillor dhe të mesëm.
Historia e problemit të arsimit shqip në Veles
Në shtator të vitit 2016, siç vërtetohet edhe nga portali grumbullues i lajmeve në gjuhën shqipe Fax.al, nxënësit shqiptarë të Velesit i janë drejtuar ministrit të atëhershëm të Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu me letër të hapur, me anë të së cilës e njoftojnë se 80 për qind të lëndëve i ndjekin në gjuhën maqedonase.
Edhe pse Fax.al teknikisht vërteton se këtë lajm e kanë kumtuar shumë media shqipe, kërkimi dëshmon se të gjitha e kanë fshirë. Kjo flet për mungesën e arkivit digjital në mediat onlajn, që vetvetiu dëshmon nivelin e ulët të kapacitetit teknologjik dhe rrjedhimisht edhe të profesionalizmit të tyre. Mediat serioze duhet të kenë kujtesë raportuese, si ndërlidhje historike mes ngjarjeve të së shkuarës dhe atyre aktuale.
Më 22 qershor të këtij viti u përhap lajmi se në Veles hapen dy paralele në gjuhën shqipe. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Halit Ferati. Portalet përcollën thirrjen e Feratit në Fejsbuk drejtuar nxënësve të Velesit dhe të komunës së Çashkës që të regjistrohen në paralelet në gjuhën shqipe. Portalet që transmetuan lajmin kishin nota afirmative dhe kryesisht përdornin formulimin “Jepet lajmi i mirë”. Ky lajm u pasua me atë mbi vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “MASH miraton hapjen e dy paraleleve të reja në gjuhën shqipe në Veles“.
“Ina-online”: Vendim skandaloz në gjimnazin e Velesit!
Portali “Ina-online” ka raportuar i pari lajmin mbi vendimin e Gjimnazit “Koço Racin”, sipas të cilit në dy paralelet e hapura me mësim në gjuhën shqipe nuk lejohet pranimi i më shumë se 22 nxënësve shqiptarë.
Në vazhdim, ja si raportonte INA:
Sipas reagimeve të prindërve për INA, afër 20 nxënës të tjerë që kanë konkurruar janë larguar sot nga gjimnazi, me arsyetime skandaloze se nuk i plotësojnë kushtet, por që dihet që kryesisht kanë prapavijë albanofobe, sepse arsimi i mesëm me ligj është obligativ.
Sot janë shpërndarë në klasa vetëm 22 nxënësit me arsyetimet se i kanë plotësuar kushtet mbi 60 pikë, ndërsa të tjerët janë urdhëruar që vullnetarisht të nënshkruajnë për tërheqjen e dokumenteve, me arsyetimet skandaloze se nuk i kanë plotësuar kushtet.
Siç mëson INA, nxënësit nuk kanë pranuar dhe ka pasur revoltë të madhe, por drejtori i ka kërcënuar që t’i marrin dokumentet se në të kundërtën do t’i gjuajnë në bërllok. Më pas dhunshëm me prani të policisë dhe sigurimin e shkollës janë nxjerrë nga objekti i gjimnazit.
Lajmin më pas e kanë raportuar edhe portale tjera, edhe atë siç ndodh shpesh me titull të njëjtë, por duke e cituar burimin mediatik, përkatësisht portalin INA, që nuk ndodh shpesh:
- Vendim skandaloz në gjimnazin e Velesit, nuk lejohet të pranohen më shumë nxënës shqiptarë dhe sot u ndërpriten kontratat katër profesorëve shqiptarë (27.09.2023, Tetova sot)
- Vendim skandaloz në gjimnazin e Velesit, nuk lejohet të pranohen më shumë nxënës shqiptarë dhe sot u ndërpriten kontratat katër profesorëve shqiptarë (27.09.2023, portali Fol)
- Vendim skandaloz në gjimnazin e Velesit, nuk lejohet të pranohen më shumë nxënës shqiptarë dhe sot u ndërpriten kontratat katër profesorëve shqiptarë (27.09.2023, portali Flaka)
Për mediat maqedonase problemi është inekzistent
Mediat në gjuhën maqedonase vendosën të heshtin lidhur me problemin e arsimit shqip në Veles, pasi nuk pati raportime lidhur me vendimin e drejtorisë së gjimnazit, i cili u pamundëson shumë të rinjve realizimin e të drejtës themelore kushtetuese për arsimim në gjuhën shqipe.
Kjo ndodh, për shkak të faktit që media shpesh ka qasje politike ndaj problemeve shoqërore, por edhe për shkak se mediat kryesisht trajtojnë çështje, të cilat prekin publikun, të cilit në mënyrë dominuese i drejtohen. Themi dominuese, pasi mediat maqedonase ndiqen edhe nga shqiptarët, ndërsa mediat në gjuhën shqipe, edhe pse kanë edicione të lajmeve në gjuhën maqedonase dhe përkthim të emisioneve, shumë pak ndiqen nga publiku etnik maqedonas.
E gjithë kjo është edhe një dëshmi për faktin që raportimi mediatik në vend prodhon dy realitete paralele, që vijë ndarëse kanë etnicitetin.
Mediat maqedonase raportojnë vetëm vendimin e komunës
Mediat maqedonase, edhe pse nuk e trajtuan hapjen e paraleleve në shqip, nuk lanë pa raportuar vendimin e Këshillit të Komunës së Velesit, i cili votoi kundër hapjes së dy paraleleve.
Televizioni 24 raportoi me titullin: “Këshilli i Komunës së Velesit votoi kundër formimit të dy paraleleve plotësuese në gjimnazin Koço Racin“.
Këshilli i Komunës së Velesit nuk dha mbështetje për dy paralele plotësuese në gjimnazin “Koço Racin”, njëra në maqedonisht dhe tjetra në gjuhën shqipe, pasi Ministria e Arsimit kërkoi që kjo shkollë e mesme t’i ulë kriteret për regjistrim dhe t’i pranojë të gjithë që kanë konkurruar. Për këshilltarët e pushtetit lokal, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në mënyrë joligjore, kur ka dërguar listë me nxënësit, të cilët duhet të pranohen, ndërsa në dy afatet e para kanë qenë të refuzuar, pasi nuk i kanë përmbushur kriteret për regjistrim.
Pjesa më e madhe e këshilltarëve, kundër MASH–it, konsiderojnë se sipas numrit të nxënësve të regjistruar mund të formojnë vetëm tri paralele maqedonase dhe asnjë paralele shqipe, raportoi TV 24.
Siç vërehet, ky televizion thekson se komuna nuk ka lejuar formimin edhe të një paraleleje në gjuhën maqedonase, fakt që nuk është trajtuar fare në mediat në gjuhën shqipe, përveç se është përmendur shkarazi.
“Portalb”: Këshilli i Komunës kundër paraleles shqipe
“Portalb”-i e publikoi raportin mbi vendimin e komunës së Velesit me titullin “Këshilli i Komunës kundër paraleles shqipe në gjimnazin e Velesit“.
Këshilli i Komunës së Velesit votoi kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për themelimin e dy paraleleve shtesë në gjimnazin “Koço Racin”, nga një në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Më saktësisht, sipas konkursit të shpallur para disa muajsh dhe në të cilin ishin përcaktuar qartë kriteret dhe sipas numrit të nxënësve të regjistruar për regjistrim në vitin e parë, këshilltarët vendosën që numri i paraleleve në shkollën e mesme të jetë katër në maqedonisht dhe një në shqip, raportoi Portalb.
“Inaonline” ndaj vendimit të komunës pati qëndrim të fortë negativ, i pasqyruar në komentin e autorit Medai Shaholli me titull: Gjuha shqipe nxjerr mbi sipërfaqe shovinizmin e pushtetit lokal në Veles!
Shfaqje të shovinizmit dhe të albanofobisë këto ditë në gjimnazin ‘Koço Racin’ të Velesit kundër pranimit (më shumë se 22 nxënës) të kufizuar të nxënësve shqiptarë janë vazhdimësi e politikës antishqiptare të pushtetit në dekada ndaj gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
Qëndrimi i këshillit komunal të Velesit dhe kryetarit të komunës kundër pranimit përtej numrit të kufizuar të nxënësve shqiptar në këtë gjimnaz edhe pse ia lejon kushtetuta, tregon edhe njëherë se shovinizmi dhe albanofobia nuk është shkulur nga kokat e sëmura të komunës së Velesit dhe të mbarë sllavo-maqedonasve të ‘drzhavës’ kundër gjuhës dhe arsimit shqip të nxënësve shqiptarë.
Në kohën kur ‘drzhava Severna’ kërkon të hapë negociatat me BE-në si shtet demokratik dhe nga ana tjetër përpiqet t’ia kufizojë të drejtën e të mësuarit nxënësve shqiptarë në gjuhën amtare është paradoks i paparë që mban vulën ‘made in Macedonia’!
Komenti përmban fyerje mbi baza etnike, meqë përdor cilësimin sllavomaqedonas, që për një pjesë të madhe të maqedonasve ka konotacione ofenduese.
Portali “Zhurnal” publikoi editorialin me titull: “Nxënësit shqiptarë të Velesit po përjetojnë apart’hejdin, ministri i arsimit Jeton Shaqiri, “kukull”!
Por, ky portal tashmë e ka fshirë komentin. Siç theksuam më lartë, kjo ndodh shpesh, edhe për shkak të lirimit të hapësirës arkivuese që kanë mediat. Por nuk janë të pakta rastet kur lajmet nga portalet fshihen për shkak të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve nga njerëz të fuqishëm.
Protestat e nxënësve për mësim në gjuhë amtare në fokus të mediave
Më 5 shtator 2023, pasi alarmuan opinionin lidhur me moshapjen e paraleleve, mediat shqipe u fokusuan tek protestat për hapjen e tyre. Alsat raportoi me titullin “Veles, protesta për paralelen në gjuhën shqipe“.
Nxënësit dhe prindërit e tyre kërkojnë nga drejtuesit e gjimnazit të respektojnë vendimin për hapjen e paraleles së re në gjuhën shqipe në këtë shkollë. Nxënësit thonë se edhe pse u pranuan në gjimnaz më pas u detyruan nën presione të nënshkruajnë tërheqjen e dokumenteve, raportonte Alsat.
Një ditë pas protestave, më 6 shtator u raportua se u arrit zgjidhje për nxënësit e Velesit. Televizioni 21 raportoi se “Arrihet zgjidhje për nxënësit e Velesit/ Gjimnazi “Koço Racin” do të ketë 2 paralele në gjuhën shqipe“, kurse TV Alsat se “16 nxënësit shqiptarë të Velesit mbeten akoma jashtë procesit mësimor“.
Duhet thënë që mediat në gjuhën shqipe, përmes raportimit, ndikuan që ky problem të përmbyllet.
Portali “Zhurnal” pati edhe një koment me tone të ashpra ndaj ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Por edhe komenti me titull: “Në vitin 2023 me ministër shqiptar, po na përsëriten skena në arsim si në kohën e Millosheviqit në Kosovë. Mjerrim” është fshirë nga ueb faqja e portalit.
Portali bënte krahasim me periudhën e viteve 90-ta, kur pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës u vendosën masat e pushtetit serb, të cilat ndikuan në shpalljen e padëgjueshmërisë qytetare të shqiptarëve të Kosovës. Ata, duke refuzuar dhe në të njëjtën kohë edhe rezistuar sistemit politik të Sllobodan Millosheviqit, organizuan sistemin arsimor paralel në gjuhën shqipe, ndërsa si godina shkollore dhe universitare u përdoreshin shtëpitë private.
Përfundime
Kur flitet për arsimimin në gjuhën shqipe, narrativët etnikë në përmbajtjet mediatike kanë qenë të pranishme që nga vitet 90-ta. Çështja e paraleleve në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm dhe evidenca pedagogjike në gjuhën shqipe gjithmonë janë raportuar me gjuhë të ndryshme këndvështruese, me intonacion, por edhe intensitet të dallueshëm.
Edhe sa i përket hapjes së paraleleve në gjuhën shqipe në Gjimnazin e Velesit, mediat shqipe kanë afirmuar nismën dhe procesin, ndërsa mediat maqedonase përmes linjës së tyre të politikës editoriale kanë dëshmuar se kur është në pyetje arsimi shqip në Veles ose kanë heshtur, duke e konsideruar problemin inekzistent, ose kanë raportuar vetëm vendimin komunal për moslejimin e paraleleve.
Një pjesë e mediave shqipe nuk kanë reshtur së shkruari komente dhe së publikuari kolumna, në të cilat mbrohet me ngulm e drejta e arsimimit në gjuhën shqipe, si themelore dhe natyrore, ndërsa portali “Zhurnal” gjendjen e arsimit në Veles herë e krahasoi me aparteid, përkatësisht me sistemin serb të epokës së Millosheviqit./IMA.MK