Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se klubi i futbollit londinez nuk do të heqë dorë nga lufta për titull në Premier League, raportojnë mediat britanike.
Arsenali është mposhtur mbrëmë nga Manchester City me rezultat 4:1 në ndeshjen e xhiros së 33-të të Premierligës. Arsenali është i pari në tabelë me 75 pikë, ndërsa Manchester City është i dyti me 73, por klubi londinez ka dy ndeshje më shumë.
“Ne humbëm nga një ekip më i mirë. Ata ishin të jashtëzakonshëm dhe kur luajnë kështu, është shumë e vështirë të arrish nivelin e tyre. Ne nuk ishim as afër nivelit tonë më të mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Ata dinin të ndëshkonin. Ata dominuan, ne nuk mund të merreshim me ta. Duhet të fillojmë me bazat, si fitorja e dueleve dhe nuk e bëmë atë mirë”, tha Arteta, transmeton Fol Drejt.