Ndeshja mes Kilit dhe Kolumbisë në kualifikueset e Amerikës së Jugut përfundoi pa gola dhe tema kryesore pas ndeshjes ishte lëndimi i rëndë i mesfushorit kilian Arturo Vidal. Ish-lojtari i Juventusit, Interit, Bayernit dhe Barcelonës, e sot i Flamengos është tashmë 36 vjeç, ndaj spekulohet se një dëmtim i rëndë mund t’i japë fund karrierës.
Mesfushori me përvojë i Kilit fillimisht u dëmtua në ngrohje, por vendosi të injorojë dhimbjen dhe të luajë ndeshjen për kombëtaren e tij. Komplikimet vazhduan gjatë ndeshjes, ndërsa në minutën e 72-të të ndeshjes ai u detyrua të linte lojën për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.
Vidal ishte dukshëm i mërzitur dhe qau kur u largua nga fusha. Dyshohet për dëmtim të meniskut dhe këputje të ligamenteve, prandaj cilësohet se është e vështirë që Vidal të shërohet plotësisht për të vazhduar karrierën e tij profesionale në këtë moshë, transmeton Fol Drejt.