Liderja e Partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” (Fdl), Giorgia Meloni, e cila fitoi në zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali dhe që pritet të jetë kryeministrja e mundshme, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Në një deklaratë me shkrim nga FdI thuhet se Meloni dhe Zelenskyy zhvilluan një bisedë telefonike dhe lideri ukrainas e ka uruar Melonin për suksesin në zgjedhje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Edhe Meloni ka shprehur falënderimet dhe ka theksuar afërsinë me Kievin që nga dita e parë e luftës thuhet në deklaratë. “Meloni gjithashtu ka konfirmuar mbështetjen e plotë të saj për lirinë e popullit ukrainas dhe ka përsëritur se aneksimi i katër rajoneve të Ukrainës nga Federata e Rusisë nuk ka ndonjë vlerë ligjore dhe politike. Meloni po ashtu nënvizoi angazhimin e saj për çdo përpjekje të dobishme diplomatike që do t‘i japë fund konfliktit”.
Giorgia Meloni dhe partia FdI që ajo kryeson ka qëndruar në opozitë, në vend që të përfshihen në koalicionin qeveritar me pjesëmarrje të gjerë nën udhëheqjen aktuale të Mario Draghi-t, por ajo ka dhënë mbështetje në parlament ndaj rezolutave të qeverisë Draghi për ndihmë, përfshirë edhe armët për Ukrainën.
Në anën tjetër, në deklaratën e FdI njoftohet se Meloni ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me ish-kryeministrin izraelit dhe liderin e partisë Likud, Benjamin Netanyahu./FolDrejt/