Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën për “Situatën e të drejtave të njeriut në Republikën Autonome të Krimesë të pushtuar përkohësisht dhe qytetin Sevastopol, Ukrainë”, duke marrë parasysh kushtet që u krijuan me fillimin e pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë, shkruan Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportit, 82 vende votuan pro, 14 kundër dhe 80 abstenuan.
Vlen të ceket se, Bjellorusia, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Eritrea, Etiopia, Irani, Kazakistani, Mali, Nikaragua, Rusia, Sudani, Siria, Zimbabve votuan kundër.
Përveç dispozitave të rezolutave së viteve të mëparshme për të drejtat e njeriut në Krime, dokumenti aktual dënon përdorimin e Krimesë nga Rusia për qëllime agresioni kundër Ukrainës dhe për mbështetjen e tentativës për aneksimin e paligjshëm të rajoneve Kherson dhe Zaporizhzhia.
Asambleja e Përgjithshme dënon nxitjen e urrejtjes kundër Ukrainës dhe ukrainasve, si dhe përhapjen e dezinformatave, të cilat justifikojnë agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës, duke përfshirë edhe sistemin arsimor.
Asambleja e Përgjithshme dënon ashpër valën e re të paprecedentë të ndalimeve arbitrare në Krime, zhvendosjet e detyruara në dhe nga Krimea, si dhe të ashtuquajturat procedura të filtrimit, veçanërisht në lidhje me personat e zhvendosur.
Asambleja kërkoi që Federata Ruse të përfundojë menjëherë të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër banorëve të Krimesë së pushtuar përkohësisht.
Asambleja e Përgjithshme kërkon gjithashtu t’i jepet fund dëbimit me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi dhe të merren masat e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt dhe ribashkimin me familjet e tyre.
Rezoluta u kujton të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare nevojën për t’i quajtur autoritetet e Federatës Ruse dhe përfaqësuesit e tyre në Krime “fuqia pushtuese e Federatës Ruse”.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së “Situata e të drejtave të njeriut në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin Sevastopol, Ukrainë” miratohet çdo vit, duke filluar nga viti 2016 dhe çdo herë përfshihen dispozita dhe formulime të reja. /FolDrejt/