Aleanca për Shqiptarët sot në një konferencë me gazetarët theksoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe i fortë mes BDIsë dhe VMROsë nuk ka ndaluar asnjëherë, ashtu si dikur që BDI dhe kryeparlamentari Talat Xhafari, nuk pranoi që ti merret imunitetit të dyshuarit për rastin e 27 Prillit, Trajko Veljanovskit, njëjtë edhe sot ky koalicion po bëhet edhe më i dukshëm edhe në hallkën më të ndryshkur të shoqërisë tonë, siç është gjyqësori.
Shembull konkret i këtij koalicioni gjyqësor mes VMROsë dhe BDIsë, është rasti i fundit me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor ku kandidati i afërt i BDIsë, Selim Ademi u rizgjodh në mënyrë eksprese nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime, duke u mbështetur plotësisht nga deputetët e vetë BDIsë, LSDMsë, si dhe VMROsë.
Pra zgjidhet për herë të dytë në një pozitë të njëjtë?
Dhe shtrohet pyetja për çfarë reforme mund të presin qytetarët nga Këshilli Gjyqësor Republikan, i cili duhej të reformohej vetë dhe me pas të reformojë sistemin gjyqësor, ç ’mund të presim nga Këshilli Gjyqësor Republikan, i cili po shndërrohet në vegël të pushtetit, dhe i njëjti mund të zgjedh vetëm gjykatës partiak dhe kryetar gjykatash nga listat e zyrave partiake, dhe jo gjykatës dhe kryetar gjykatash te pavarur dhe profesionistë.”, theksoi zëdhënësi i kësaj partie, Flakron Bexheti.
Sipas tij, se BDI bën gjithçka për vete, dhe për ti shpëtuar zyrtarët e saj të inkriminuar dhe të korruptuar, është edhe sjellja e gjykatësit Naser Ajdari, kuadër dhe ish zyrtar i lartë i BDI, tani anëtar i Gjykatës Kushtetuese i cili se bashku me gjykatës të afërt me VMROnë votoi për t’u shqyrtuar falja e jashtëligjshme e ish presidentit Gjorge Ivanov më saktë nenit 11 nga ligji për falje të mund të aplikohet mbi të përndjekurit e PPSsë, ku në mesin e tyre krahas të dyshuarve dhe të akuzuarve të funksionarëve të VMRO ka edhe zyrtar të lartë të BDIsë.
“Aleanca për Shqiptarët për shkak të gjithë këtyre treguesve edhe njëherë bën kërkesë publike që të fillohet me veting urgjent për të çliruar pushtetin gjyqësor nga ndikimi i pushtetit ligjvënës dhe ai ekzekutiv, si dhe lirimit të tij nga uzurpimet partiake që po dëmtojnë një sistem të tërë të drejtësisë.
BDI nuk mund të manipulojë me kërkesat false për veting, me shpresë që vetingun do ta organizojnë vetë. Ne si parti me çdo forcë që kemi do të bëjmë kërkesë që vetingu të realizohet në formën e tij më të pastër me asistencë të shteteve të BEsë, që të arrihen rezultate të mirëfillta që sistemi jonë i drejtësisë të çlirohet nga gjykatësit dhe prokurorët e politizuar të korruptuar, që janë në shërbim të klientelizmit partiak politik, dhe jo në interes të sistemit të drejtësisë.”, thekson ASH.