Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, lëshoi një paralajmërim ogurzi të hënën, duke thënë se njerëzimi përballet me “vetëvrasje kolektive” nga ndikimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, duke përfshirë zjarret dhe valët e të nxehtit, që aktualisht po bëjnë kërdi në mbarë botën.
Deklarata e Guterres erdhi pasi Britania shpalli një emergjencë kombëtare duke u përgatitur për ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, me temperatura që mund të rriten deri në 41 gradë, sipas Evening Standard.
“Gjysma e njerëzimit është në zonën e rrezikut, nga përmbytjet, thatësira, stuhitë ekstreme dhe zjarret”, tha Guterres, sipas The Guardian.
“Asnjë komb nuk është imun. Megjithatë ne vazhdojmë të ushqejmë varësinë tonë nga karburantet fosile. Ne kemi një zgjedhje. Veprim kolektiv ose vetëvrasje kolektive. Është në duart tona”, tha ai.
Guterres i bëri këto komente për përfaqësuesit nga 40 vende, që takohen në Berlin këtë javë, për të diskutuar krizën klimatike dhe çështje të tjera urgjente botërore.
Në të gjithë Evropën, pasojat nga vala ekstreme e të nxehtit ishin të dukshme, pasi ajri i ngrohtë pritej të lëvizte në veri nga Londra në drejtim të Mançesterit dhe Leedsit. Dhe për herë të parë, Britania lëshoi një “alarm të kuq”, që do të thotë se nxehtësia ishte një kërcënim për jetën.
Në Londër, disa atraksione turistike planifikuan të kufizonin vizitorët ose të mbylleshin herët dhe kopshtet zoologjike morën hapa për të mbrojtur kafshët e tyre, duke i mbajtur ato brenda. Në Spanjë, një zjarrfikës u vra të dielën teksa po luftonte me një zjarr.
Zjarret kanë shkatërruar tokat në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut, ndërsa temperaturat kanë thyer rekorde në Indi, Azinë Jugore dhe pjesë të Afrikës në muajt e fundit.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, situata ishte pothuajse e njëjtë, me Kansas, Oklahoma, Teksas dhe zona të mëdha, që panë temperaturat të rriten deri në 43 gradë.
Dialogu për Klimën në Petersberg zgjat deri të martën dhe mund të jetë shansi i fundit nga udhëheqësit botërorë që të bien dakord për zgjidhjet klimatike përpara Samitit të Klimës COP27 në Egjipt, në nëntor.