Edi Rama ka thënë se pozicioni aktual i Kryeministrit Albin Kurti, pas zhvillimeve të fundit në veri, i shkakton keqardhje. Ai këtë e bëri gjatë një konference për media, ku tregoi se ua ka dorëzuar një draft dokument për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka thënë se “nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë”, duke e justifikuar në një mënyrë “rezistencën” e kryeministrit të Kosovës, për t’i refuzuar çështjet që janë në dëm të vendit.
Ai ka thënë se e do suksesin e Kurtit dhe Kosovës “por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova”.
Drafti për Asociacionin, sipas tij, është hartuar nga ekpsertët:
“Ajo që unë kam bërë është që këtë kontribut ta kthej në një mundësi për dialogun pastaj aty e dinë vet të gjithë ata që marrin pjesë në dialog se çfarë marrin e çfarë jo. Për Kosovën është jetike që të dalë nga ky qorrsokak dhe të finalizoj procesin që i mundëson njohjen e ndërsjellë. Është një gjë shumë e madhe për tu tretur në dallgët e furtunës në gotën e katër komunave për katër kryetarë komunash që e kanë kryer misionin e tyre dhe që mund ta vazhdojnë detyrën në ndërtesa tjera pa pasur nevojë që të angazhohet një polici e tërë për të rritur në mënyrë artificiale frymën e vetëvendosjes së serbëve atje. Fakt i hidhur por shumë i vërtetë.”
Rama po ashtu tha se nuk është duke e sulmuar ai Kurtin, por se atë është duke e fajësuar e tërë bota demokratike, e prandaj atij kjo i shkakton vetëm keqardhje, meqë nuk e kupton pse duhet të ndodh kështu. /FolDrejt/