Një grua austriake është nën hetim për tentativën për vrasje dhe torturim të djalit të saj 12-vjeçar duke e mbajtur të mbyllur në një kafaz të vogël qensh, thanë zyrtarët, përcjell Fol Drejt.
Gruaja 32-vjeçare u akuzua se e mbante fëmijën në temperatura nën zero dhe e kishte lënë të uritur.
Kur javën e kaluar u publikua lajmi i parë për këtë rast, ai shkaktoi reagime të shumta në Austri.
Që nga nëntori i kaluar, kur punonjësit socialë njoftuan autoritetet, gruaja ndodhet në paraburgim në qytetin e Krems, në veriperëndim të Vjenës, në pritje të një gjyqi të mundshëm.
Fëmija u gjet në koma dhe i ngrirë më 22 nëntor kur babai – i cili jeton i ndarë – thuhet se lajmëroi autoritetet.
Djali i kequshqyer kishte një temperaturë trupi prej vetëm 26.8 gradë dhe po vdiste pasi u torturua për muaj të tërë, tha për Agence France-Presse Johann Baumschlager, zëdhënës i policisë provinciale të Austrisë së Poshtme.
Djali u dërgua me urgjencë në spital dhe nëna e tij u arrestua të nesërmen.
Gruaja dyshohet se i derdhi ujë të ftohtë djalit të saj “disa herë në ditë ndërsa hapte dritaret në apartament për disa orë kur temperatura ishte nën zero”, tha Baumschlager.
Djali tani “është shëruar fizikisht, por ende është i thyer psikologjikisht”, shtoi ai.
Në fund të majit, Gjykata e Lartë refuzoi ankesën e gruas për shkak të muajve të paraburgimit.
Pritet që hetimet të vazhdojnë deri në fund të verës kur do të merret vendimi për aktakuzën. /FolDrejt/