Austria planifikon të paraqesë pesë kërkesa në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, të cilat do të duhet të zbatohen urgjentisht në nivel të bllokut evropian.
Sipas raportit të të përditshmes austriake ‘Krone’, pesë kërkesat që do të paraqiten në samitin e ardhshëm të BE-së janë si në vijim:
– Komisioni i BE-së duhet të paguajë për operacionet e policisë që shërbejnë jashtë vendit për të luftuar migracionin e paligjshëm. Përveç kësaj, komisioni duhet të mbështesë gjithnjë e më shumë vendet e kufijve të jashtëm në mbrojtjen e kufijve, veçanërisht me burime financiare për projektet e ardhshme të infrastrukturës (p.sh. ndërtimi i gardhit në kufirin nga Bullgaria në Türkiye)
– Komisioni i BE-së duhet të hartojë një ‘Direktivë e mospranimit’, respektivisht të ngjashëm me ‘Direktivën e mbrojtjes së përkohshme’, një mekanizëm i mbrojtjes së përkohshme që përfshin qasjen në tregun e punës
– Duhet të mundësohen procedurat e azilit në vendet e treta të sigurta, një model që p.sh. Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar po ndjekin
– Duhet të jetë më i lehtë revokimi i statusit të mbrojtjes së personave që kanë kryer krime
– Komisioni i BE-së do të krijojë dhe financojë një pilot-projekt për procedurat e shpejta të azilit në kufijtë e jashtëm të BE-së
Siç raporton e përditshmja austriake ‘Krone’, qeveria federale austriake tashmë ka marrë “disa masa të tjera për të siguruar që frenimi i azilit të jetë efektiv dhe që presioni i azilit mbi Austrinë të reduktohet”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Përveç kësaj, do të realizohet një operacion i përbashkët policor me Hungarinë, i njohur si operacioni ‘Dhelpra’. Qëllimi i operacionit është të pamundësojë hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në Austri.
Më parë, Austria shkaktoi një bujë duke vendosur veto ndaj pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen. Sipas të përditshmes austriake, qeveria e Austrisë në këtë mënyrë synon të rrisë presionin ndaj Komisionit të BE-së./FolDrejt/