Austria thotë se ka identifikuar një shtetas grek 39-vjeçar që dyshohet se ka spiunuar për Rusinë, duke shtuar se ai është djali i një ish-spiuni rus, i cili dikur ishte vendosur në Gjermani dhe Austri si diplomat, shkruan Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Brendshme e Austrisë e bëri njoftimin në një deklaratë pas një hetimi të kryer nga agjencia e saj e brendshme e inteligjencës “në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar”.
I dyshuari “ishte në kontakt me diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës nga vende të ndryshme dhe ishte në Moskë pak para dhe gjatë pushtimit ushtarak të Ukrainës nga forcat ruse”, thuhet në deklaratë.
I dyshuari, i cili përballet me deri në pesë vjet burg për “mbështetje të një agjencie sekrete të inteligjencës në dëm të Austrisë”, nuk po mbahet në paraburgim, tha ai, duke shtuar se sistemi i drejtësisë do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm të papërcaktuar./FolDrejt/