Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken e përshëndeti si “historike” njoftimin e Koresë së Jugut për një plan për të kompensuar viktimat e punës së detyruar në Japoni gjatë luftës.
“Ne e mirëpresim atë njoftim historik,” tha Blinken, duke vlerësuar “guximin dhe vizionin” e qeverive të Koresë së Jugut dhe Japoneze, përcjell Fol Drejt.
Seuli dhe Tokio janë “dy nga aleatët më të rëndësishëm të SHBA-së dhe ne mirëpresim punën e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe”, shtoi Blinken.
Autoritetet e Koresë së Jugut kanë njoftuar një plan për të kompensuar qytetarët e tyre që ishin viktima të punës së detyruar gjatë luftës në Japoni, me të cilën Seuli dëshiron të forcojë lidhjet për shkak të tensioneve me Phenianin.
Si Koreja e Jugut ashtu edhe Japonia janë aleatët kryesorë të sigurisë rajonale të SHBA-së kundër Koresë së Veriut. Megjithatë, marrëdhëniet e tyre dypalëshe u tensionuan për një kohë të gjatë për shkak të pushtimit kolonial japonez të Gadishullit Korean nga 1910 deri në 1945.
Sipas të dhënave të Koresë së Jugut, gjatë 35 viteve të pushtimit, Japonia rekrutoi rreth 780,000 koreanë për punë të detyruar, pa llogaritur gratë që u futën në skllavëri seksuale nga ushtarët japonezë.
Diplomacia japoneze reagoi menjëherë duke thënë se plani i Koresë së Jugut do të ndihmonte në “rikthimin e marrëdhënieve të shëndetshme” me Tokion.
“Qeveria japoneze vlerëson masat e shpallura sot nga qeveria e Koresë së Jugut si një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet e shëndetshme midis Japonisë dhe Koresë së Jugut,” tha ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi./FolDrejt/