Franca se ka pritur me keqardhje vendimin e Rusisë për t‘u tërhequr nga Marrëveshja e Re për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START).
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme thuhet se autoritetet franceze shprehin keqardhje që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka pezulluar pjesëmarrjen e vendit të tij në “New START”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Ka shkaktuar shqetësim njoftimi i Rusisë se është gati të përgjigjet në mënyrë të ngjashme nëse SHBA-ja kryen një testim bërthamor”, thuhet në deklaratën ku tërhiqet vëmendja se ‘New START’ është e rëndësishme për menaxhimin ndërkombëtar të armëve bërthamore dhe ruajtjen e stabilitetit strategjik.
“Aleatët e NATO-s më 3 shkurt shprehën shqetësimin e tyre për dobësimin e kësaj marrëveshjeje për shkak të mos përmbushjes së përgjegjësive nga Rusia”, theksohet më tej në deklaratën ku bëhet e ditur se NATO i bën thirrje Rusisë që të zbatojë angazhimet e saj dhe të rikthehet në marrëveshje në kohën më të shpejtë të mundshme.
Në deklaratë thuhet se Parisi e fton Moskën që t’i qëndrojë deklaratës së saj të 3 janarit 2022 për parandalimin e luftës bërthamore dhe garën për armatosje.
Putin dje deklaroi se do të pezullojë pjesëmarrjen e Rusisë në “New START”, marrëveshje e arritur me SHBA-në dhe e cila synon të frenojë aftësitë e raketave balistike bërthamore ndërkontinentale./FolDrejt/