Autoritetet e Ukrainës pretenduan se në përleshjet në jug të vendit u rritën humbjet e trupave ruse.
Në deklaratën nga Komanda operacionale “Jug” e Forcave të Armatosura të Ukrainës, thuhet se situata në zonën operacionale jugore është ende e vështirë, por zona kontrollohet nga forcat e mbrojtjes ukrainase, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratë thuhet se përleshjet me ushtrinë ruse kanë vazhduar në jug të vendit dhe se trupat ruse kanë pësuar humbje të mëdha si pasojë e kundërsulmit të ushtrisë ukrainase.
Ditën e fundit në jug të Ukrainës, u shkatërruan 43 pajisje, përfshirë 12 tanke, 18 automjete të blinduara, 1 raketë kundërajrore, më shumë se 10 artileri dhe obusë si dhe 2 qendra komandimi dhe 6 depo municionesh që i përkisnin ushtrisë ruse. Po ashtu u pretendua se humbën jetën 201 ushtarë rusë.
Avionët luftarakë të Ukrainës kanë kryer 24 sulme kundër Qendrës së komandës dhe depove të municioneve, rrugëve të transportit dhe vijës së parë të trupave ruse. Më tej theksohet se Forcat e Armatosura të Ukrainës shënjestruan mjete ajrore pa pilot, stacione të luftës elektronike, sisteme raketash me shumë fuçi dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që i përkisnin ushtrisë së Rusisë dhe se këto sulme ishin efektive.
– Humbjet e ushtrisë ruse në ditën e fundit
Në deklaratën me shkrim të Shtabit të Përgjithshëm, përfshihet informacioni për humbjet që ka pësuar ushtria ruse nga data 24 shkurt deri më 1 shtator.
Ushtria ruse gjatë ditës së fundit ka humbur 1 helikopter, 23 tanke, 2 mjete ajrore pa pilot, 1 sistem të mbrojtjes ajrore, 2 sisteme raketahedhëse, 3 automjete dhe 33 automjete të blinduara dhe 450 ushtarë.
Që nga fillimi i luftës njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan 234 avionë, 205 helikopterë, 1.997 tanke, 4.345 automjete të blinduara, 1.115 topa, 15 anije dhe skafe të lehta, 851 mjete ajrore pa pilot, 3.239 automjete, 287 raketahedhëse ruse, 153 sisteme të mbrojtjes ajrore, 196 raketa lundrimi të lëshuara nga rusët.
Në deklaratë thuhet se ushtria ruse ka humbur 48.350 ushtarë që nga fillimi i luftës.
Në një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes më 25 mars, u njoftua se në Ukrainë humbën jetën 1.351 ushtarë rusë./FolDrejt/