Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se vendet perëndimore po kërkonin të zgjeronin një “sistem të ngjashëm me NATO-n” në rajonin Azi-Paqësor.
Duke mbajtur fjalimin e mirëseardhjes në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, Putin tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të “zvarritnin” konfliktin në Ukrainë dhe se vizita e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan në fillim të këtij muaji ishte “tërësisht provokim”.
“Aventura amerikane në Tajvan nuk është thjesht një udhëtim i një politikani individual të papërgjegjshëm, por pjesë e një strategjie të qëllimshme dhe të ndërgjegjshme të SHBA-së. Është një demonstrim i pacipë i mosrespektimit të sovranitetit të vendeve të tjera,” nënvizoi Putin.
Për më tepër, kreu i Rusisë paralajmëroi se SHBA po përpiqet të largojë vëmendjen e qytetarëve të saj nga “problemet akute” si “rënia e standardeve të jetesës, papunësia, varfëria dhe deindustrializimi”, duke përdorur Moskën dhe Pekinin.”/abcnews.al/